Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të përkrahë zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të shtetit. Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se nuk e kanë ndryshuar qëndrimin në këtë çështje duke shtuar se fituesit e zgjedhjeve nuk i kanë kërkuar AAK-së bashkëpunim përmes së cilit edhe do të siguroheshin votat e deputetëve të Aleancës për zgjedhjen e presidentit.
Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se Albin Kurti e Vjosa Osmani, si fitues të zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk i kanë bërë një kërkesë AAK-së, për një marrëveshje politike lidhur me votimin e qeverisë dhe presidentit.
Haradinaj: Nga Vetëvendosje nuk kemi marrë ndonjë propozim për marrëveshje politike për votim të presidentit
“Ne e kemi mirëprit mundësinë me bisedu me fituesit e zgjedhjeve, në këtë rast me kryetarin e Vetëvendosjes zotëri Kurtin, me zonjën Osmani, nuk kemi marrë prej tyre një propozim, një kërkesë, marrëveshje politike për të votuar ose presidenten ose qeverinë, ata nuk kanë kërkuar prej neve bashkëpunim, vetvetiu ne nuk jemi pjesë e një marrëveshje politike për votimin e kandidates së Vetëvendosjes për presidente. E pash një njoftim se LDK e ka një vendim të tillë, kjo është një marrëdhënie e re në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes, por sa i përket Aleancë – Vetëvendosje nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Haradinaj.
Ndryshe nga partia e Ramush Haradinajt do të veprojë Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës dje ka bërë të ditur se nuk do të jenë pengesë në zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të presidencës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së djeshme të mbajtur me kryesinë e partisë, ka deklaruar se deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në votimin për president të ri të vendit.
“Pas një diskutimi të hapur e shterrës, të gjithë bashkërisht nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit. Ne do ta marrim pjesë në votim, pa paragjykuar votën. Ne presim që presidenti i ardhshëm të jetë garantues i kushtetutës e jo keqpërdorues i saj”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk është caktuar ende, derisa muaji maj është afati kur Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin e ri.
Presidencën aktualisht po e udhëheq kryetari i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa për disa muaj ushtrues detyre ishte ish-kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, tani kandidate e Vetëvendosjes për këtë post.
Presidenca ka mbetur me ushtrues detyrë që prej muajit nëntor të vitit të kaluar pasi Hashim Thaçi, i cili ishte në krye të këtij institucioni, udhëtoi për në Hagë meqë ndaj tij u konfirmua aktakuza nga Dhomat e Specializuara, përmes së cilës pretendohet se i njëjti është përgjegjës për krime lufte./G.Kadrija/KP