Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në SHBA, të mërkurën ka zhvilluar një takim me emisarin amerikan Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
“Në Departamentin e Shtetit u prita sot në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë”, ka shkruar Hardinaj në një postim në Facebook.
“Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Haradinaj njofton se me këtë rast ka theksuar se kjo gjë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka falënderuar emisarin Escobar për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën.