“Edhe Putini po të kishte qenë kryetar i Qeverisë së Kosovës nuk do ta kishte ndihmuar kaq shumë Rusinë sa e ka ndihmuar Albin Kurti, Putinin”. Ka qenë ky reagimi i ashpër i kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, në një intervistë për A2 CNN, duke analizuar situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Sipas Haradinajt, Kurti është vënë në funksion të agjendës ruse për destabilizim, duke përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët dhe mbështetësit e Kosovës.
“Kurti ka kërkuar çështje që përkeqësojnë çështjet me aleatët e sigurisë. Kurti, në vend që ta çojë Kosovën drejt NATO-s, është vënë në dispozicion të agjendës ruse për destabilizim. U kthyem në këshill të sigurimit si agresorë, kemi qenë viktima. 9 anëtarë të KS janë njohës. Kosova u nda në kritikë të mbështetësve kryesorë të vet. Ka plot skeptikë ndaj Kosovës dhe interesi i Rusisë është që të rritet skepticizmi i vendeve evropiane. Dhe kjo loja me refuzime është në funksion të agjendës ruse duke e larguar Kosovën nga themeluesit e liderët e NATO-s dhe duke i nxitur armqitë me e rreziku Kosovën”, tha Haradinaj.
Për ish-kryeministrin Haradinaj çështja e dinarit serb ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me aleatët kryesorë të saj duke rrezikuar anëtarësimin në NATO.
“Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë bota nuk është më e njëjtë. Kemi pas premtime të vendimmarrësve amerikanë përfshirë dhe senatorët që vijnë në rajon të niveleve të larta, që me zbatimin e planit franko-gjerman Kosovës i hapet perspektiva për integrim në misionet euroatlantike. Kurti nga ajo kohë i ka prish besueshmërinë me garantuesit e sigurisë sonë duke nxit armiqtë me na rrezikuar. Sikur të shkonin drejt NATO-s dinari dhe çështje si dinari nuk do të ishte relevant për çështjet e funksionimit tonë të brendshëm, ndërsa sot Kurti me dinarin e Serbisë ka arritur me na prish me SHBA, me NATO-n e aleatët kryesorë. Është vërtet tragjedia jonë”.
Ai thekson se po të ishte në vendin e Kurtit do të zbatonte detyrat e ngarkuara nga SHBA me qëllim përshpejtimin e anëtarësimit në NATO.
Haradinaj përjashton një mandat të dytë të qeverisë Kurti dhe flet për nismën e opozitës së bashkuar, e cila sipas tij do të formojë qeverinë e ardhshme.
“Nuk kemi biseduar rreth listës së përbashkët se nuk kemi marrë një drejtim rreth një bashkimi të subjekteve politike dhe palëve të tjera rreth këtij boshti. Opozita po bashkohet, me siguruar ndryshimin në Kosovë që qeverinë e ardhshme ta krijojë Kosova. Ne po bëjmë punën e opozitës që opozita ta krijojë qeverinë e ardhshme. Nuk do t’i japim përkrahje një mandati të dytë të kryeministrit Kurti. Propozimi im që të kemi një listë të përbashkët para zgjedhjeve nuk do të thotë që është dorëzimi ynë, por edhe pas zgjedhjeve ekziston mundësia që opozita të krijojë shumicë. Nuk do të ketë mandat të dytë të qeverisë Kurti, ndërsa opozita e ka edhe në bazë të matjeve të opinionit publik. Qeverinë e ardhshme e krijon opozita”./Demokracia