Haradinaj: FSK shembulli më i mirë i ecjes sonë të përbashkët me ShBA dhe NATO

- in Lajme

Në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është mbajtur sot ceremonia për zbarkimin e kontingjentit të FSK-së për misionin e parë paqeruajtës në botë ku do të jenë në krah të ushtrisë amerikane në Kuvajt.

Për këtë është deklaruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Haradinaj ditën e sotme e quan historike për Kosovën dhe ushtrinë e saj. Ai shkruan se vendi është rreshtuar me ushtritë e lirisë dhe paqes dhe se FSK është shembulli më i mirë i ecjes së përbashkët me ShBA-në dhe NATO-në

“Një ditë historike për Kosovën, për Ushtrinë e saj, për paqen dhe sigurinë. FSK do të shërbejë krahas Ushtrisë Amerikane, për herë të parë në një mision të tillë, shumë larg territorit të Atdheut. Vendi ynë është rreshtuar me ushtritë e lirisë dhe të paqes e FSK është shembulli më i mirë i ecjes sonë të përbashkët me ShBA dhe NATO. Faleminderit për shërbimin tuaj. Zoti qoftë me ju”, ka shkruar Haradinaj. /KosovaPress