Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë një reagim në profilin e tij në ‘facebook’ duke përkujtuar se Kosova po shkon drejt përmbushjes së një viti që është nën masa të Bashkimit Evropian.
Përveç kësaj, Hamiti thotë se edhe DASH konstatoi se në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar. Ai thotë se në sytë e Washingtonit dhe Brukselit zyrtar, kjo është fotografia e Kosovës sot.
Hamiti tutje ka përmendur edhe raportin e Reporterëve pa Kufij, në të cilin Kosova ka shënuar regres për 19 vende sa i përket lirisë së medias.
Reagimi i plotë:
KOSOVA E KATANDISUR #KREJTdheDREJT
Kosova është nën sanksione ndërkombëtare prej mesit të vitit të kaluar. Shpejt bëhet një vit prej kur BE-ja ka bllokuar projekte për Kosovën në vlerë prej qindra milionë eurosh. Humbjet po shtohen dita ditës.
Në Kosovë ka “korrupsion të rëndë qeveritar” (anglisht, “serious government corruption”), konstatoi para një jave raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Në sytë e BE-së dhe SHBA-ve kështu duket Kosova sot. Vend që për fajin e Qeverisë së Vetëvendosjes sanksionohet. Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës. Në kohën e regjimit të ri të Albin Kurtit, qeverisë së shpresës siç ka qejf ta shohë veten. Ndërkohë, qytetarët po e braktisin Kosovën me të madhe. S’e duan shpresën këta?!
Kosova ka rënë 19 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë së Shtypit në botë, simbas raportit të Reporterëve pa Kufij. (Më keq se Kosova është Shqipëria.)
Raportet po e konfirmojnë atë që qytetarët e ndërgjegjshëm të Kosovës e dinë. Mediat e pavarura të Kosovës kanë bërë punë të madhe për ta shpalosur katandisjen e vendit tonë nën qeverisjen e koalicionit Vetëvendosje – Guxo, që e mori votën me sloganin #KREJTdheDREJT. Pushteti i ka mediat e veta, duke përfshirë edhe radiotelevizionin publik të Kosovës. Po ashtu, VV-ja e ka ushtrinë digjitale që bën dhunë të përhershme verbale, kërcënon edhe më dhunë fizike, ndaj kujtdo që e thotë të vërtetën për gjendjen e mjerueshme në Kosovë, në vendin Qeveria e të cilit i shkel ligjet dhe Kushtetutën serikisht.
Kjo kastë pushtetore e kërkoi votën për sundim absolut; i urren mediat mediat e lira, jashtë kontrollit të saj. Prandaj, Kosova është sot më keq se kurrë.
Qeveria e Albin Kurtit nuk po e konsumon pushtetin. Po e ha shtetin e Kosovës, të cilin po e sheh të përkohshëm, domethanë të konsumueshëm./Demokracia