Guterres: luftimet në ukrainë duhet të ndalen menjëherë

- in Lajme

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mban sesionin historik për Ukrainën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u tha vendeve anëtare se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës duhet të respektohen.

 

“Luftimet në Ukrainë duhet të ndalen menjëherë” – deklaroi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në sesionin historik të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai përmendi bombardimet ruse dhe zhvendosjen e detyruar të miliona ukrainasve.

“Ky përshkallëzim i dhunës, që po shkakton vdekje të civilëve, përfshirë fëmijë, është plotësisht i papranueshëm. Mjaft është mjaft”,  tha Guterres. Ambasadori i Ukrainës tha se kjo luftë nuk është e provokuar dhe kërkoi reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Tani është koha për të vepruar, koha për të ndihmuar Ukrainën, e cila po paguan çmimin përfundimtar për lirinë dhe sigurinë, për veten dhe për botën. Nëse Ukraina nuk mbijeton, paqja ndërkombëtare nuk do të mbijetojë”, tha ambasadori Sergiy Kyslytsya.

Ai e nisi fjalimin me komunikimin e një ushtari rus, tashmë i vrarë, me nënën e tij, ku i rrëfente se ishin të mashtruar dhe se e kishin aq vështirë. Ambsadori rus, Vasily Nebenzya i përshkroi si vet-mbrojtje veprimet e Rusisë dhe si mbrojtje e parimeve të kartës së OKB-së.

Mirëpo, ambasadori i BE-së, Olof Skoog, u përkujtoi vendeve anëtare se në të kaluarën bashkësia ndërkombëtare shpesh ka qenë e verbër apo shumë e ngadaltë përballë tragjedive. “Nuk mund të bëjmë gabimet e njëjta”, tha ai.

Ukraina dhe vendet perëndimore i kanë apeluar bashkësisë ndërkombëtare që të mbështesin draft rezolutën, me të cilën do të dënohej sulmi rus ndaj Ukrainës, do të bëhej thirrje për armëpushim dhe tërheqje të menjëhershme të forcave ruse. Për miratimin e saj nevojiten dy të tretat e votave. Autorët e saj shpresojnë që të mund të arrihen votat e nevojshme, derisa vende si Kina, Siria, Kuba, India, pritet që ose të votojnë kundër, ose të abstenojnë.  Rezoluta nuk është obliguese, por ajo do të tregonte se sa e izoluar është Rusia.