Një marsh protestues ka nisur sot për të kundërshtuar vrasjen e grave. Përmes protestës kërkohet llogari për vrasjet dhe siguri për gratë në vend.
Në ditën e gruas kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, ka protestuar kundër vrasjeve të grave. Me ngjyrë të kuqe janë lyer dyert e Pallatit të Drejtësisë dhe me mbishkrimin “Edhe sa gra të vrara”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Marshojmë s’festojmë” e shumë thirrje të tjera.
Nga institucionet u kërkua llogari për të gjitha viktimat dhe siguri për gratë në vend.
Marshi ka nisur nga ora 10:00 me thirrje e pankarta “Vrasja e grave është urgjencë kombëtare”, “Edhe sa thirrje të humbura” dhe “Çdo ditë është 8 mars”.
Vlora Gashi nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka akuzuar institucionet e drejtësisë për vrasjet e grave. Nga aty ajo tha se pikërisht në këtë ditë duan të kthejnë vëmendjen për gratë e vrara nga burrat.
Që nga viti 2018 në vend janë vrarë 48 gra nga burrat. Rasti i fundit ka ndodhur në Llaushë të Skenderajt, Lirije Qerimaj që jetën ja mori bashkëshorti.
Për vrasjen e grave është protestuar edhe në Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Rahovec dhe Gjilan./RTKlive