Për Mefail Bajqinovcin, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria nuk e ka asnjë problem.
Të mërkurën në DPT Te Fidani në T7, Bajqinovci tha se nuk beson se do të ketë riformatim të Qeverisë.
“Nuk e di. Nuk besoj”, tha ai.
Bajqinovci u shpreh krenar me Ekzekutivin. Në Greqi, për shembull, ai tha se po i marrin lakmi Kosovës sa i përket sundimit të ligjit, shkruan Express.
“Unë mendoj që Qeveria ka shkuar shumë mirë. Nuk ka pasur asnjë skandal, asnjë problem. Është për kënaqësi kur isha në Greqi kur vetë kolegët tanë grekë na i përmendshin të gjitha raportet ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ishte kënaqësia më e madhe. Dhe sot, edhe Z. Kurti kudo që shkon por edhe ne deputetët e Parlamentit të Kosovës me kënaqësi të madhe themi se jemi nga Kosova dhe menjëherë quhet qeveri anti-korrupsion. Në Greqi vetë kolegët e mi grekë na e kanë thënë çdo lajm që po e lexojmë për Kosovën kur bëhet fjalë për sundim të ligjit ne ua kemi lakminë tash. Sepse në të gjitha mediumet ndërkombëtare, por edhe në Transparency International, ata i shikojnë”, tha Bajqinovci.
Ai tha se gjatë vizitës së fundit në shtetin helen, edhe disa shtete anëtare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së) ishin të entuziazmuar për Kosovën.
Ne aty, edhe nga shumë shtete të cilat janë në SEECP-së, na e thonin me një lloj entuziazmi që ju jeni në rrugë të mirë sa i përket sundmitit të ligjit. Dhe Z. Kurti e njihnin si një prej ‘fighterëve’ nr 1 në Ballkan sa i përket liderëve, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar”, tha Bajqinovci.