Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke sulmuar Gjykatën Kushtetuese për shkak të rrëzimit në tërësi të Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, dhe duke iu referuar votimit final të gjyqtarëve për ta shpallur në tërësi anti-kushtetues ligjin në fjalë (5 për, 4 kundër), tha se Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve në raport me gjysmën tjetër.
Por, ky deklarim i Kurtit është i pavërtetë, për shkak se ky raport i votave u krijua vetëm kur u shpall në tërësi anti-kushtetues, ndërsa për të gjitha nenet që përbënin shkelje të Kushtetutës, gjyqtarët ishin pothuajse të gjithë të pajtimit.
Në shumicën e neneve të këtij ligji që janë shpallur anti-kushtueses rezultati i votimit ka qenë 8 për, 1 kundër.
Fillimisht, në vendim thuhet se gjykata ka vendosur të konstatojë, me tetë vota për dhe një votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Po ashtu, Kushtetuesja ka konstatuar me tetë vota për dhe një votë kundër, që pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.
Ndërsa, me 6 vota për dhe tri kundër gjykata ka vendosur që pika 1.1 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me nenin 106 [Papajtueshmëria] të Kushtetutës.
Konstatim me tetë vota për dhe një votë kundër gjykata ka nxjerrë që pika 1.2 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës.
Tutje, 6 për dhe 3 kundër ka qenë rezultati i votave të gjyqtarëve që pika 1.4 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe paragrafin 3 të nenit 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit] të Kushtetutës.
Ndërsa, vendimi final që Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të shpalle në tërësinë e tij i pavlefshëm, kishte raportin e votave 5 për, e 4 kundër./Demokracia