Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjyqtari Charles Smith III ka theksuar se deri më tani janë dëgjuar 105 dëshmitarë.
Smith tha se deri tani janë dëgjuar 60 dëshmitarë, duke përfshirë edhe ata sipas rregullës 154, 13 dëshmitarë sipas rregullës 153 dhe janë pranuar deklaratat e 32 dëshmitarëve që ose kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për të dhënë dëshmi dhe kjo parashihet me rregullën 155. Kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitarë të prokurorisë deri më tani kanë qenë gjithsej 105. Gjatë kësaj kohe, Smith III tha se janë marrë mbi 300 vendime nga trupi gjykues.
Ai tha se Prokuroria e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve nga 320 dhe brenda këtij muaji pritet që të japin një parashtrim për numrin e dëshmitarëve që planifikojnë të thërrasin.
Sot ka filluar dëshminë dëshmitari i 61-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Edhe ky dëshmitar është me masa mbrojtëse./Demokracia