Gjykimi ndaj ish eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK), do të vazhdojë më 21 maj, kjo pasi që trupi gjykues për dëshmitarin e 62-të tha se dëshmitë e kaluara të tij mund të vendosen në prova.
Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett.
“Sot apo të premten nuk ka asnjë proces gjyqësor. Dje, kryetari i trupit gjykues njoftoi se procedura është anuluar pasi mbrojtja ka thënë se nuk do të ketë pyetje për dëshmitarin e caktuar (02486), me rezultat që dëshmitë e mëparshme të dëshmitarit mund të futen në provë”.
“Procedurat gjyqësore do të rifillojnë të martën, më 21 maj”, ka thënë Bennett.
Dy dëshmitarët e fundit në Speciale, kanë dëshmuar në seanca të mbyllura.
Në gjykimin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Rexhep Selimit, Eric Tully, ka kërkuar që një prej dëshmive që do të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese.
Këtë mbrojtja e ka kërkuar pasi që të njëjtëve nuk u ishte dhënë prova materiale, ndërkaq dëshmitari të njëjtat i ka analizuar gjerë e gjatë./Demokracia