Prokuroria e Specializuar e Hagës ka shkurtuar sërish listën me dëshmitarë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo pas urdhrit të Trupit Gjykues në mënyrë që procesi gjyqësor të shkurtohet sa më shumë.
Prokuroria e Hagës tash ka larguar nga lista e dëshmitarëve edhe 11 persona, kurse dëshmitë e shtatë dëshmitarëve të tjerë do të pranohen me shkrim, raporton Nacionale.
“Prokuroria e Specializuar nuk synon më të mbështetet në dëshmitë e njëmbëdhjetë (11) dëshmitarëve në vijim: [REDAKTUAR]. Përveç kësaj, PSP-ja synon t’i dorëzojë me shkrim dëshmitë e shtatë (7) dëshmitarëve të mëposhtëm, në vend që t’i thërrasë ata për të dëshmuar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Hagës është zotuar se do të vazhdojë edhe më tutje ta reduktojë listën e dëshmitarëve, duke synuar që rastin e saj ta përfundojë në prill të vitit 2025.
“Prokuroria e Specializuar do të vazhdojë të shqyrtojë dhe, sipas rastit, të rregullojë paraqitjen e rastit. Në mënyrë të veçantë, duke marrë parasysh ndër të tjera dëshmitarët e ardhshëm (dhe duke iu nënshtruar vendimeve për mocionet e provave), parashikohet që ZPS të jetë në gjendje të njoftojë të paktën shtatë ndryshime shtesë në listën e saj të dëshmitarëve më 1 nëntor 2024”, thuhet në njoftim.
Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Hagës vendosi për të tjerë dëshmitarë që dëshmitë e tyre të merren me shkrim.
Edhe 10 dëshmi nga dëshmitarët në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, janë pranuar me shkrim.
Kështu ka konfirmuar Gjykata Speciale në një komunikatë për media.
Ata kanë theksuar se për këtë fakt, nuk ka pasur kundërshtime nga palët.
“Më 10 shtator, Trupi Gjykues pranoi në prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve. Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e Prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit”, thuhet në njoftim.
Për tre dëshmitarë të tjerë, u pranua kërkesa që të dëshmojnë me video-lidhje.
“Të njëjtën ditë, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë që dhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës, meqë kjo është më e favorshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Trupi Gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet videokonferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre”, thuhet në vendim.
“Në çështjen gjyqësore Thaҫi dhe të tjerët, më 5 shtator, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës. Trupi Gjykues theksoi se Mbrojtja nuk kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thekson Specialja.
Marrja e dëshmive me shkrim dhe shkurtimi i kohës së marrjes në pyetje të dëshmitarëve në seancë, ka qenë kërkesë edhe e gjyqtarëve. Kjo me qëllimin që të shkurtohet koha.
Tre muaj më parë, prokurori nga Prokuroria e Specializuar, kishte thënë se do të mundohen ta shkurtojnë kohën.
10 dëshmitarë ishin larguar totalisht nga lista e dëshmitarëve të prokurorisë, kurse 13 të tjerë dhanë dëshmitë e tyre vetëm me shkrim.
Fillimisht Prokuroria e Specializuar e Hagës kishte bërë të ditur se do t’i ftojnë për dëshmi mbi 300 dëshmitarë./Demokracia