Gjykata vendos për Shalën – ZPS-ja kërkon 28 vjet burgim

- in Lajme

Këtë të hënë në orën 14:00 do të marrë epilog gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, i cili akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë për krime lufte.

“Trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim për media të Speciales.

 

Ndërkaq Shala u arrestua më 16 mars 2021, ndërsa gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt 2023.

Shala: Kam luftuar kundër Millosheviç-it

Ish-komandanti i UÇK-së, Pjetër Shala, i kishte mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, duke thënë se asnjëherë nuk kishte luftuar kundër civilëve, por ndaj regjimit të Slobodan Millosheviçit.

“Asnjëherë në jetën time nuk e kam bërë atë që më ngarkohet. Unë kam qenë vetëm një luftëtar. Ne nuk kemi luftuar kundër civilëve”, pati theksuar Shala.

“Kam luftuar kundër një makinerie të regjimit të Millosheviçit, por kurrë kundër civilëve. Nëse është qëllimi i këtij institucioni të më dënoni pse kam luftuar për lirinë e popullit dhe vendit është në rregull”.

Deri më tani, Dhomat e Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.

Aktualisht në është duke u zhvilluar një rast gjyqësor, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndryshe, në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave për krime lufte.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./Demokracia