Gjykata merr vendim për 70-vjeçarin që dyshohet se sulmoi seksualisht mbesën e tij 14-vjeçare nga Prishtina

- in Lajme

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 70-vjeçarit, Selim Duraku, i cili dyshohet se ka sulmuar seksualisht vajzën e mbesës së tij, të moshës 14-vjeçare.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër Durakut e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndryshe, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se 70-vjeçari nga Gjilani i dyshuar për sulm seksual ndaj vajzës 14-vjeçare të mbesës së tij ka rënë dje në prangat e Policisë pasi u denoncua nga babai i viktimës.

I moshuari është arrestuar në shtëpinë e tij në Gjilan, pasi u denoncua në stacionin policor “Jugu” në Prishtinë, para dy ditësh, nga babai i viktimës, i cili deklaroi se daja i gruas së tij ia ka sulmuar seksualisht vajzën e tij.

Ky rast që dyshohet se ka ndodhur mes datës 7 dhe 8 maj në Gjilan ka tronditur familjen e viktimës nga Prishtina.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që kryen këtë vepër ndaj personit nën moshën 16 vjet, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në dhjetë (10) vjet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali