‘Gjunjëzimi’ i Vjosa Osmanit e Albin Kurtit përballë Martin Berishajt

- in Lajme

Janë bërë fiks dy javë që kur në mediet sllovene u publikua afera e shpërlarjes së 600 mijë eurove, e ku dyshohet të jetë i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe nga institucionet e Kosovës ende nuk ka as edhe një veprim të vetëm.

Televizioni slloven, Planet TV, kishte raportuar se rreth 600 mijë euro në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Berishaj.

Pas kësaj afere, drejtuesit e institucioneve pos që nuk e kanë marrë asnjë masë ndaj ambasadorit, ata i kanë dalë në mbrojtje Berishajt.

Vjosa Osmani kishte akuzuar edhe mediet kosovare për aferën Berishaj.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani një ditë pas publikimit të skandalit kishte thënë se i beson deklaratës që ai e kishte dhënë në një status në Facebook, ku kishte paralajmëruar padi ndaj medieve sllovene, raporton Gazeta Blic.

“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, kishte theksuar Vjosa Osmani në konferencë për media më datë 22 prill, vetëm një ditë pas publikimit të këtij skandali.

Megjithatë, e para e vendit brenda dite ka ndërruar qëndrim.

Ajo po atë ditë kishte kërkuar raport të detajuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në lidhje me pretendimet se ai është i përfshirë në disa skandale. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Martin Berishaj ka raportuar qoftë me shkrim qoftë fizikisht për të gjitha raportimet që janë bërë ndaj tij.

“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, kjo a ka qenë kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për Martin Berishaj.

Por në rast se një kërkesë e tillë ka ndodhur siç ka kërkuar e para e shtetit ka ndodhur për këtë ka kërkuar përgjigje Gazeta Blic nga zyra për media dhe këshilltarët e presidentes Osmani.

As nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë dhënë detaje për rastin e Berishajt, nëse ai ka raportuar ende.

Albin Kurti mbron “fuqishëm” Berishajn

Pos presidentes Osmani, edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti e mbrojti ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Njeriu më i fuqishëm politikisht në Kosovë, Kurti kishte theksuar se raportimet e mediave sllovene, janë të pavërteta.

Pos Kurtit, ashtu sic edhe pritej, i madh e i vogël nga Vetëvendosje i dolën në mbrotje ambasadorit Berishaj.

“Shpifjet nuk kalojne! Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, kishte shkruar ai.

Afera Berishaj vazhdon edhe pas dy javësh të nxite reagime. Pos opozitës, edhe analistët politik kërkojnë të “ndriçohet” ky rast.

“A ka raportu ambasadori Martin Berishaj, sipas kërkesës së presidentes? Çka ka raportu? Cili është versioni i tij për skandalin e pretenduar? Pse askush nga institucionet nuk flet më për rastin?”, ka shkruar ai.

Ambasadori Berishaj ka mashtruar edhe institucionet e Kosovës. Ai në formularin e deklarimit të pasurisë fare nuk i ka deklaruar kompanitë që i ka në Kosovë dhe në Mal të Zi.

Për Gazetën ditë më parë kreu i Agjencisë Anti- Korrupsion, Yll Buleshkaj ka konfirmuar se ka nisut hetimet.