Gjuajtje me armë zjarri në një dasmë në Milloshevë, Policia arreston të zotin e shtëpisë

- in Lajme

Kosovarët si ‘merakli të armëve’, ato i përdorin shpesh edhe në ahengjet familjare, përmes së cilës shprehin ‘gëzimin’ e tyre për një ngjarje të caktuar. Kështu zgjodhi të festojë edhe i zoti i shtëpisë në një dasmë në Milloshevë të Obiliqit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Policia ka ‘shqetësuar’ dasmorët, pasi ka dalë në vendin e ngjarjes posa morën informatën se janë dëgjuar të shtëna me armë.

Aty kanë kontaktuar me kreun e familjes që ka organizuar dasmën, i cili ka pranuar se ka shtënë 4 herë me armë, me ç’rast zyrtarët policorë kanë konfiskuar armët dhe municionin që e kanë gjetur në garazhin e shtëpisë.

I zoti i dasmës më pas është shoqëruar në stacion policor, ku me vendim të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’.

Kujtojmë se mbajtja e armëve pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim ose me gjobë.

/GazetaSinjali/