Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka kritikuar presidenten Osmani për deklaratat e fundit.
Ai tha se presidentes nuk i duhet diploma duke u shprehur “le ta hedh në kosh”.
“Si ish-anëtar i KQZ-së për një dekadë, u ndjeva keq kur lexova deklaratën e sotme të presidentes Osmani.Kot prezantohet Vjosa Osmani si Doktor shkence në fushën e drejtësisë, kur ajo me gojën e saj ka shkelmuar pavarësinë e një institucioni të pavarur kushtetues si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk i djuhet asgjë ai titull shkencor. Lirisht le ta hedhë në koshin e plehrave sepse nuk e ka titull meritor”, tha ai.
Gjoshi ka deklaruar se presidentja po ik përgjegjësisë.
“Ajo, me anë të kësaj deklarate po ndërhyn drejtpërdrejt në punën e një institucioni të pavarur kushtetues duke i treguar publikisht se çka dhe si duhet të veprojë. Presidente, mos i ik përgjegjësisë! I vetmi person në Republikën e Kosovës që i shpallë zgjedhjet jeni ju si Presidente dhe askush tjetër. Arsyetoje pagën, pozitën dhe përgjegjësinë që ke”, theksoi Gjoshi.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka thënë se heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Ajo tha se në këtë proces është e domosdoshme të ecet përpara dhe tha se zgjedhjet do t’i caktojë sapo të konfirmohet largimi i kryetarëve aktualë.
/Demokracia