“Gjobë, burgim”, çka parasheh ligji për mosparaqitjen e dëshmitarit?

- in Lajme

Ligji mbi të gjithë. Maksimë të cilën sigurisht e keni dëgjuar e lexuar. Ja edhe njëherë; ligji mbi të gjithë. Por, “Unë guxoj t’ju them s’po vij’, deklaronte Kurti thua se nuk e njeh maskimën që shkruam dy herë në një rresht. Por, por, e njohu a jo, Albin Kurti Kryeministër në detyrë, s’është imun nga ligji. Ai tash e sa kohë po refuzon t’i përgjigjet organit special të akuzës, që po ia heton ministren (tash në detyrë) Rozeta Hajdari, nën dyshimet se keqperdori rezervat shtetërore. Prokroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, për ta detyruar Kurtin të dëshmojë, meqenëse ai po refuzon.

Çka parasheh Kodi i Procedurës Penale?

Kodi i Procedurës Penale, në nenin 132 të tij flet për Mosparaqitjen e Dëshmitarit. Sipas këtij neni, respektivisht pika 1. “Kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, ose pa leje dhe shkak të arsyeshëm largohet nga vendi ku duhet të pyetet, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet.”.

Çka nëse refuzon? “Nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet”- thuhet aty.

Çka nëse vazhdon refuzimi? “Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset siç parashihet në paragrafin 2 të këtij neni.”

Burgu? Po. Kodi i Procedurës Penale ka paraparë edhe burgosjen e dëshmitarit që “guxon” ta sfidoj ligjin.

Kur dëshmitari refuzon të dëshmojë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj.” – thuhet në kod.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë këtë të mërkurë e ka konfirmuar se kanë pranuar kërkesë nga Prokuroria Speciale, lidhur me refuzimin e Kurtit për intervistim.

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që Kurti të urdhërohet për të shkuar për të dëshmuar.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, tha Gashi.

Kurti sfidon ligjin?

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit të vendit Albin Kurti.

Kjo për intervistim në cilësinë e dëshmitarit pasi ai nuk iu përgjigj ftesës së parë të dërguar dit më parë.

Ftesën e prokurorisë për kryeministrin e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për të cilën ai ka thënë se si kabinet qeverisës i janë përgjigj.

“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër”, ka thënë Kryeziu, transmeton nacionale.

Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.

“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, të shohim tash a guxojnë ata të vijnë”– tha Kurti./Demokracia