GJERMANIA KËRKON LARGIMIN E FORCAVE SPECIALE DHE BARRIKADAVE NGA VERIU

- in Lajme

Vendimi i Republikës së Kosovës për të implementuar reciprocitetin e targave me Serbinë ka bërë që serbët në veri të vendit të barrikadohen dhe të bllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak.

 

Situata e paqëndrueshme dhe lëvizjet e aeroplanëve e helikopterëve të Serbisë në afërsi të kufirit, kanë bërë që të ketë reagime nga fuqitë e huaja dhe të kërkohet një takim urgjent në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Situatën në veri të vendit janë duke e vëzhguar nga afër edhe nga shteti gjerman, të cilët gjithashtu bëjnë thirrje për takim mes Kosovës dhe Serbisë, sa më shpejt të jetë e mundur.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka thënë për Gazetën Express se palët duhet të përmbahen nga çfarëdo provokimi dhe të shtensionojnë situatën.

Gjithashtu ky zëdhënës ka shtuar se Berlini zyrtar përkrah plotësisht deklaratat e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, i cili ka kërkuar largimin e njësive speciale nga veriu dhe heqjen e barrikadave.