Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar të premten nga Bashkimi Evropian (BE) t’ia ngrijë Serbisë statusin e vendit kandidat, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në veri të vendit.
Gërvalla i bëri këto komente në Ministerialin e Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit në Tiranë, ku mori pjesë dhe Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, si dhe Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerboc.
Disa muaj më parë, Gërvalla e kishte quajtur “Tigër prej letre” BE-në, shkruan Demokracia.com.
Gjatë një fjalimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Gërvalla kishte thënë se çështja thelbësore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është nëse BE-ja mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë.
“Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse, nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në bllok dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, BE-ja është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”, ishte shprehur Gërvalla.
Ky skandal diplomatik i Gërvallës ishte përcjellur me kritika të ashpra. Por, ministrja Gërvalla disa ditë më vonë e kishte ripërsëritur këtë deklaratë, duke rikonfirmuar se nuk tërhiqej nga ajo.
Për më tepër, ky skandal diplomatik kishte marrë mbështetje edhe nga vetë krerët e shtetit.
Kryediplomatja kosovare nuk shquhet për asnjë sukses gjatë udhëheqjes së saj me diplomacinë e vendit. /Demokracia.com