Dikasteri më i pashndërritshëm i qeverisjes aktuale është politika e jashtme; dhe bartësja e këtij funksioni: Donika Gërvalla. Duke qenë kjo pashndërritësi e qartë në dritë të diellit, kjo e fundit vendosi t’i tregojë disa “arritje” të saj në këtë tri-vjeçar qeverisjeje. E çka përveç liberalizimit të vizave? Hilja, sigurisht, qëndron në atë që ia faturon si meritë eksluzive qeverisë së vet, një proces ku mbi 90 kushte janë përmbushur nga qeveritë paraprake.
Faktet tregojnë se nga viti 2021 vendi s’e ka fituar asnjë njohje ndërkombëtare, dhe për këtë, kritikat për MPJ-në dhe Donikën në krye të saj, janë të shpeshta. Megjithatë, Gërvalla për tre vjetorin e marrjes së postit, ia renditi vetës disa “suksese”.
Me fraza të varfra ajo shkroi: “Tri vjet. Me faqe të bardhë dhe duar të pastra!” – mbishkrim ky i bashkëngjitur në një fotografi të postuar nga kryediplomatja në Facebook, e që s’të lë mundësinë as hapësirën që të komentosh poshtë tij.
Tri vjet. Me faqe të bardhë dhe duar të pastra!
Vazhdojmë edhe sot me punë shumë e fjalë pak, si në çdo ditë tjetër gjatë këtyre tri viteve.
Të arritura në politikën e jashtme, zëvendëskryeministrja e vendit i konsideron gjashtë zhvillime që kanë ndodhur vitet e fundit. T’u shkojmë të gjithave me rend.
Vizat
Këtu në Nacionale disa herë kemi raportuar me artikuj shpjegues se si erdhi puna deri te heqja e vizave, se si Kosova ka pasur më së shumti kritere nga gjithë vendet e rajonit, se si procesi që nisi si teknik, u shndërrua në politik. Ka pasur raportime edhe se si Qeveria Kurti s’i ka meritat për heqjen e vizave pasi që nuk ka ndikuar në plotësimin e asnjë prej 95 kritereve.
Madje, sjellim në vëmendje një deklaratë të shefit të Gërvallës, kryeministri Kurti para heqjes së vizave:
“Keni pasur shembuj në të kaluarën ku thuhej 15 muaj, 19 ditë, sivjet, vitin e ardhshëm; mua nuk më keni dëgjuar ashtu (duke premtuar liberalizimin) sepse e di që ajo punë nuk varet prej nesh”.
Aplikimi për statusin kandidat në BE
Më 14 dhjetor të vitit 2022, tre krerët e shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Glauk Konjufca kishin nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkim Evropian. Disa ditë më vonë, aplikimin e kishte dorëzuar te presidenca çeke e atëhershme e BE-së, kryeministri Kurti.
Pikërisht me BE-në, pra ky Kosova synon të anëtarësohet, Gërvalla s’i ka aspak punët mirë. I sulmon thuajse në çdo paraqitje. Madje, atëherë kur i kishte quajtur “tigër prej letre”, kishte marrë përgjigje direkte nga emisari Miroslav Lajçak, i cili ia kishte përmendur pikërisht çështjen e anëtarësimit:
“…bashkimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e BE-së”.
Anëtarësimi në 7 organizata ndërkombëtare
Nuk dihet saktë për cilat organizata ndërkombëtare e ka fjalën kryediplomatja Gërvalla. Të dhëna se në cilat organizata bën pjesë vendi ynë, nuk ka as në faqen e institucionit që ajo drejton.
Megjithatë, ajo që dihet, është se Qeveria Kurti për këto tri vjet nuk ka arritur të anëtarësojë vendin në Kombet e Bashkuara apo INTERPOL, organizata këto shumë të rëndësishme.
Fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar
Se Kosova në botën e jashtme duket me e fuqishme, Gërvalla e kishte thënë edhe një herë duke e përshkruar fjalë për fjalë atë që, sipas saj, ia kishte thënë një ministër nordik:
“Ju jeni yll shndritës i rajonit për demokraci”.
Megjithatë, kur jemi të fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar, vlen të theksohet se vendi ynë tash e gati një vit ndodhet nën masa të ashpra ndëshkuese nga BE-ja, të cilat përkundër thirrjeve të vazhdueshme edhe nga vetë Gërvalla nuk janë hequr.
Aplikimi dhe avancimi për anëtarësim në Këshill të Evropës
Kosova është shumë pranë një momenti historik për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Për këtë, Qeveria Kurti ka merita. Siç është këtu heqja dorë nga një qëndrim i mbajtur gati për një dekadë, kundërshtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarë tokë përreth i takojnë Manastirit të Deçanit.
Tash, me letrën e publikuar nga Nacionale që krerët e shtetit ia kanë nisur raportueses në KiE, Dora Bakojanis, del se Qeveria ku Gërvalla bën pjesë, zotohet ta zbatojë edhe Asociacionit, për hir të qëndrimit në këtë organizatë.
Forcimi i indeksit të fuqisë së pasaportës
Siç e kishte shpjeguar Nacionale me t’u dhënë lajmi se shtetet e BE-së i kanë thënë “Po” heqjes së vizave, pasaporta e shtetit tonë do të forcohej automatikisht me hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e tyre.
Kosovarët, udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2024. Me këtë rast, pasaporta e Kosovës ishte fuqizuar për 34 vende./Demokracia