Gazetarët mbushin sheshin: A ishte e orkestruar të pengohej protesta nga aktivisti i VV-së?

- in Lajme

Disa mediume i vendosën në tokë pajisjet e tyre të punës, si kamerat, tripodet dhe mikrofonat, për t’u solidarizuar me televizionin Klan Kosova.

Por derisa marshonin në shesh, para tyre u pa një aktivist i partisë në pushtet, Vetëvendosjes, i cili provoi të pengonte protestën.

Erion Beqiraj, pasi u bë pjesë e protestës e vendosi një pankartë në të cilën pretendohej se ndodheshin të dhënat e vendosura të Klan Kosovës ku emrat e qyteteve të Kosovës – Pejë e Gjakovë – shkruheshin në gjuhën serbe.

Ky aktivist më pas është viktimizuar duke thënë që “si duket disave nuk iu pëlqeu fjala ime e lirë dhe një gazetare ma mori parullën nga dora dhe e shqyi (shqeu) atë.”

A ishte krejt kjo orkestrim?

Aktivisti i VV-së që tentoi të pengonte protestën po mbrohet nga të tjerë aktivistë më me nam në këtë parti që sot kanë edhe funksione shtetërore.

Postimi i tij u shpërnda goxha shumë dhe mesin e tyre edhe analistët Shkëlzen Gashi e Rron Gjinovci, deputeti Enver Dugolli, shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, asamblisti Egzon Azemi e të tjerë.

Mjaft interesant ishte edhe një reagim i aktivistes dhe këshilltares së ministres Albulena Haxhiu, Berita Abazi.

“Gazetari ia shqyen parullën këtij të riu. Fjala e lirë…” – postoi ajo në rrjetin social Twitter.

Reagim pati edhe nga ana e deputetes Fitore Pacolli që sërish foli për strukturat e pronësisë së medias.

Deputeti tjetër i VV-së Besim Muzaqi shkroi për atë pankartë se “përbrendëson sakrificën, luftën dhe krenarinë e LIRISË!”

Ai vazhdoi tutje me qasje paragjykuese duke thënë: “Fatkeqësisht kjo ju pengoi gazetarëve protestues dhe e shqyen. Në emër të fjalës së lirë po mbështetet propaganda kundër Republikës e financuar nga ‘rublat’ ruse dhe e maskuar në ‘parajsa financiare’ nga avokat të kariçëve e Lukashenkos.”

Edhe Arianit Beqiri, asistent i Kryeministrit Kurti, bëri postim për një gjë të tillë duke thënë: “Në protestën për “fjalën e lirë” kjo parullë i qenka shky një të riu. Ndoshta atij/asaj që e ka shky, nuk i ka pëlqy që Gjakova e Peja janë Kosovë.”

Ndërkohë, në postimin e bërë nga Beqiraj ka shumë komente të cilat në mënyrat më banale të mundshme fyejnë rëndë gazetarët e Kosovës duke i lidhur ata me Serbinë.

Ndryshe, më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.

MINT-i kishte ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.

Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.

“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhet në njoftimin e Klan Kosovës.

Ministria e përsëriti të hënën, ditën e protestës, se komisioni i saj e ka mbyllur këtë çështje, pra do ta mbajë në fuqi pezullimin e licencës së biznesit të televizionit, por konfirmoi se Klan Kosova gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje “teknike””, tha MINT të hënën.

Por, vendimi i Ministrisë së Industrisë ka ngjallur reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim “shumë të thellë” me vendimin e MINT-it për ta konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka duke kërkuar që çështja e licencës së televizionit të bëhet “duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”, kryeministri Albin Kurti e ka mbrojtur vendimin, duke thënë se “zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë për përftime financiare, nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave.”

Juristja e së drejtës së medias në Prishtinë, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari “kanë marrë vendim politik për të mbyllur Klan Kosovën”.

/GazetaSinjali/