Që nga muaji mars i vitit 2021 kur e ka marrë mandatin, e deri në korrik të këtij viti, kryediplomatja Donika Gërvalla bashkë me kabinetin e saj, kanë shpenzuar rreth 200 mijë euro për udhëtime, mëditje, dreka e bileta. Këto janë statistikat që gazeta Nacionale i ka siguruar nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, tek pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Që nga muaji gusht i këtij viti, gazeta Nacionale kishte kërkuar qasje në shpenzimet e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla dhe kabinetit të saj, për udhëtime jashtë vendit, bileta e mëditje. Minsitria e Jashtme dhe e Diasporës nuk kthente përgjigje. Si rezultat, Nacionale e dërgoi rastin në Agjencinë për Informim e Privatësi.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi, më 25 gusht 2022, i ka dërguar MPJD-së një shkresë njoftuese; ndërsa më 12 shtator 2022 ka nxjerrë vendimin A-487/2022; ndërkaq më 18 nëntor 2022 ka njoftuar MPJD-në për shqiptimin e gjobës administrative, pas së cilës, institucioni publik, brenda ditës ka reflektuar, duke përmirësuar shkeljen e evidentuar nga AIP dhe duke i ofruar palës ankuese qasje në dokumentet e kërkuara”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.