Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka mirëpritur vendimin e sotëm të Qeverisë në detyrë për heqjen e kufizimit të lëvizjes për qytetarët, por paralajmëron se në rast ndryshimi të këtij vendimi pas 14 shkurtit do të ketë organizim të protestave.
Nga sot, bizneset e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës mund të ushtrojnë veprimtarinë deri në ora 22:00. Po ashtu, nuk do të ketë kufizim të lëvizjes së personave fizikë në të gjitha komunat, përfshirë Prishtinën.
Gastronomët thonë se ky është një lajm i mirë për Kosovën, ku dihet roli ekonomik që ka kryeqyteti edhe për komunat tjera është shumë i rëndësishëm, ku 50-60 për qind e tërë aktivitetit ushtrohet në të.
“Me rastin e shkeljes së masave antiCOVID për arsye të organizimit të tubimeve politike, dhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të fushatave zgjedhore nga çdo parti politike, është bërë padrejtësi e madhe dhe trajtim i pabarabartë në raport me ne, ekonominë, dhe rreth 100 mijë qytetarë që rrezikojnë të mbesin të papunë në çdo industri”, thuhet në reagim.
Gastronomët paralajmërojnë në rast se vendimi i sotëm ndryshon pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, atëherë do të organizojnë protesta./KosovaPress