Gashi për sjelljen e Osmanit në konferencë: Pare kisha dhanë mos me dëgju diçka të tillë

- in Lajme, Video

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media i është përgjigjur me mllef pyetjes së gazetarit të T7 në lidhje me raportimet për një skandal financiar ku u përfshi ambasadori kosovar në Kroaci, Martin Berishaj.

Gazetari Astrit Gashi, e ka krahasuar qasjen e Osmanit në konferencë me vitet kur vendin e udhëheqnin Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj.

Gashi ka shkruar se historia po përsëritet raporton Gazeta Express.

“Nuk eshte Hashim Thaci, as Ramush Haradinaj, as Isa Mustafa. Nuk jemi ne vitet 2007-2020. Jemi ne vitin 2022, por historia po na perseritet. Fatkeqesia e disa kombeve, e atyre qe nuk mesojne nga e kaluara, eshte qe historia ju perseritet. Ndoshta eshte edhe fat ne fatkeqesi, do te thoshte ndonje nga optimistet e fundit”, ka shkruar ai.

Gashi tha se është ndjerë i turpëruar me qasjen e presidentes Osmani ndaj gazetarit.

“Ama qe thote populli, pare kisha dhane mos me degju dicka te ketille ne kete kohe”, ka shkruar ai.

Gazetari i T7 e ka pyetur Presidenten Vjosa Osmani për diplomatin kosovar, Martin Berishaj, për të cilin mediat sllovene raportuan se u përfshi në një skandal financiar. Osmani ka dalë në mbrojtje të ambasadorit, duke e gjykuar pyetjen e gazetarit.

Osmani, e sigurt në ambasadorin e saj, ka thënë se është për keqardhje pyetja që i është drejtuar asaj në konferencë nga gazetari i T7 për Berishajn.

“Sa i përket pyetjes që në fakt nuk ishte pyetje por konstatim, është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Kosovës por që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht ësht shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo para gazetarëve.