Një veprim i fundit i deputetes së koalicionit qeverisës, Jeta Statovcit, nga Lista “Guxo”, mund të ngjallë reagime në opinionin publik. Në një set fotografik të realizuar për qëllime promovimi, deputetja shfaqet duke shkelur mbi libra, një simbolikë e papërshtatshme për një përfaqësuese të legjislativit, shkruan Demokracia.com.
Statovci, e cila do të garojë për një tjetër mandat në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka vendosur të realizojë një fotosesion profesional. Megjithatë, ajo që ka tërhequr vëmendjen është skena ku ajo qëndron mbi disa libra të vendosura në dysheme për t’u ngritur më lart gjatë shkrepjes së fotografisë dhe xhirimit.
Libri, i cili përfaqëson dijen dhe arsimin është shpesh simbolikë kyçe për ata që kanë për detyrë të hartojnë dhe votojnë ligje që përmirësojnë sistemin arsimor dhe shoqërinë në përgjithësi. Prandaj, përdorimi i tij si mjet për një pozë fotografike konsiderohet si mungesë respekti për vlerën që ai bart.
Statovci, e cila është pjesë e listës “Guxo” në partneritet qeverisës me Vetëvendosjen, ka qenë aktive në mandatin e fundit. Megjithatë, veprime të tilla mund të kenë ndikim negativ në perceptimin publik në prag të zgjedhjeve. /Demokracia.com/