I shpallur në kërkim, si i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi, Artan Hajrizi është deklaruar duke thënë se nuk ka gisht në këtë rast.
Në një deklaratë për Dukagjinin, ai pretendon se ia kanë vjedhur dokumentet personale.
“Jam në policinë e Gjermanisë në Honiver i kam lajmëru që mi kanë vjedh dokumentet e janë ecë”, ka thënë Artan Hajrizi.
Ai po ashtu tha se vëllai i tij Faton Hajrizi, ka qëndruar te ai.
“Dokumentet mi ka marrë se kuletën e la në tavolinë në korridor me çelësa me krejt e vëllai ka ndejtë te unë”, tha ai.
Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur mbrëmë pas mesnate në Serbi. Ngjarja ka ndodhur në Loznica, afër kufirit me Bosnjën. Serbia pretendon se autori i vrasjes është një kosovar. Një kërkim masiv është duke vazhduar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Policia Serbe ka shpallur në kërkim si të dyshuar për rastin, Artan Hajrizi, shtetas i Kosovës. Siç u bë e ditur në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës me emrin e Artan Hajrizit në të, si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë me të njëjtin identitet.
Siç po raportohet të shtënat kanë ndodhur pasi autori ka refuzuar që policia ta kontrollojë çantën që ai e kishte me vete.
Gjithçka nisi një orë pas mesnate kur efektivët e policisë, të cilët ishin në detyrë në një postbllok, ndaluan një taksi që u dukej e dyshimtë dhe në të cilën ndodhej autori. Njëri prej policëve, sipas raportimeve të mediave në Serbi, i ka kërkuar të dyshuarit t’u tregonte se çfarë ka në çantë.
Ai refuzoi dhe më pas qëlloi në drejtim të policisë./Demokracia