FEDERATA E DANIMARKËS JEP TË REJAT E FUNDIT MBI GJENDJEN E CHRISTIAN ERIKSEN

- in Sport

Bota e futbollit u shokua ditën e djeshme kur në ndeshjen ndërmjet Danimarkës dhe Finlandës, e vlefshme për Grupin B të Kampionatit Evropian, mesfushori Christian Eriksen kolapsoi në fushë duke rënë pa ndjenja në tokë dhe duke krijuar kështu një situatë shumë të rëndë për të gjithë të pranishmit dhe jo vetëm.

Disa orë më vonë u raportua se gjendja e Eriksenit është përmirësuar dhe se ishte jashtë rrezikut për jetë, përcjellë KosovaPress.

Federata e Futbollit të Danimarkës sot ka lëshuar një njoftim përmes të cilit ka bërë të ditur se Eriksen po vazhdon të trajtohet në spital por se gjendja e tij është stabile dhe se ai ka komunikuar personalisht me drejtues të federatës.

“Këtë mëngjes ne kemi biseduar me Christian Eriksen, i cili u bëri të fala bashkëlojtarëve. Gjendja e tij është stabile dhe ai po vazhdon të qëndrojë në spital për ekzaminime shtesë. Ekipi kombëtar dhe futbollistët kanë marrë asistencë krize, dhe për secilin lojtar do të jenë aty pas incidentit të djeshëm.” thuhet në fillim të këtij njoftimi.

Më tutje aty bëhet një falënderim për të gjithë ata që kanë ndarë dhimbjen me familjarët dhe futbollistët.

“Duam t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë bashkndjerë dhimbjen, tifozët, futbollistët, familjet mbretërore nga Danimarka e Anglia, Federatat Ndërkombëtare, klubet etj.”

“Ju inkurajojmë që të vazhdoni dërgimin e përshëndetjeve në Federatën Daneze, dhe ne ju sigurojmë që të gjitha do t’i përcjellen Christianit dhe familjes së tij.”, thuhet në fund të njoftimit të Federatës së Futbollit të Danimarkës./KP