Faruk Mujka i VV-së s’po pyet “as për ligj, as për Maliq”, merr kundërligjshëm dy paga

- in Lajme

Kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” dhe asamblisti i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Jugut, Faruk Mujka, merr pagë vjetore bruto prej afro 40 mijë eurosh për dy pozitat zyrtare që i mban.

Por bazuar në interpretimin ligjor nga Agjencia Kundër Korrupsionit, zyrtarit të partisë në pushtet megjithëqë i lejohet t’i ushtrojë dy pozitat, nuk ka të drejtë edhe për shpërblimin me pagesë, përveç kompensimit për shpenzime udhëtimi dhe të tjera të ndërlidhura

Mbi 3 mijë euro pagë mujore bruto i mundësohet t’i marrë zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujka, për dy pozitat zyrtare që i mban, ani se kjo nuk lejohet me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. 

Për pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, në të cilën u emërua në dhjetorin e shkuar, Mujka, bazuar në të dhënat që kjo ndërmarrje ia përcolli KOHËS, u pagua nga 2.500 deri në 3.000 euro në muaj. E për atë të asamblistit në Kuvendin Komunal në Mitrovicën Jugore, sipas Thesarit të Shtetit, në kuadër të Ministrisë së Financave, nga 609 euro.

Në një interpretim ligjor për rastin, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit thanë se Mujkës nuk i ndalohet ushtrimi i dy funksioneve, porse Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit parasheh kufizime në paga për dy pozita.

“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike, si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç së drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”, thuhet në një përgjigje të Agjencisë.

Sipas nenit 23 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, asamblistët komunalë kanë të drejtë vetëm në shtesa, po qe se marrin edhe një tjetër pagë nga buxheti.

Në Komunën e Mitrovicës thanë se që nga hyrja në fuqi e ligjit, Mujka merr pagë me koeficient 5.8, teksa theksuan që i kanë informuar asamblistët që të përcaktohen për njërën pagë.

“I kemi njoftuar se bazuar në dispozitat ligjore të cekura më lart, anëtarët e Kuvendit Komunal të cilët marrin pagë të rregullt nga buxheti i Kosovës kanë mundësinë të përcaktohet në njërën nga opsionet që parasheh neni 23, paragrafët 4 dhe 5 i Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, dhe se anëtarët e Kuvendit Komunal, që marrin një pagë të rregullt nga buxheti i Kosovës, përfitojnë vetëm shtesën, sipas paragrafit 4. të këtij neni”, thuhet në një përgjigje të Sekretarisë së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut.

Mujka prej ditësh nuk u është përgjigjur kërkesave të KOHËS për t’iu përgjigjur pyetjeve për çështjen e dy pagave që realizon.

Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se secili zyrtar ka për obligim që të shmangë konfliktin e interesit.

“Në çdo detyrë të cilën e merr një zyrtar i lartë, ka për obligim që vetë ta shmangë fillimisht konfliktin e interesit. Pra, në mënyrë efektive ta parandalojë apo ta zgjidhë çështjen e konfliktit të interesit, në mënyrë që të mos pranohen dy paga në institucione publike, ku kërkohet angazhim me një orar të plotë kohor. Pra, nuk mund të merret paga brenda dy institucioneve publike”, ka thënë Makshana.

Ai thotë se Agjencia Kundër Korrupsionit duhet të ndërmarrë masa po qe se konstatohen shkelje të dispozitave ligjore.

Mujka ka qenë nënkryetar i Mitrovicës Jugore gjatë qeverisjes së Agim Bahtirit. Ndërsa në korrik si kryeshef i “Ibër-Lepencit” është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte në pozita udhëheqëse në Komunë. Atij dhe këshilltarit të ministrit të Bujqësisë asokohe iu gjetën dhe iu sekuestruan 60 mijë euro nga Policia Speciale./Demokracia