Fabrika e prodhimit të ngjyrës dhe fasadës “Relux”, tash tre vite eksporton produktet e saj në Gjermani dhe Francë. Vetëm të hënën, katër kamionë kanë mësyrë rrugën për eksportin e radhës.
Pronari i fabrikës “Relux”, Ramiz Gashi thotë për KosovaPress, se 80 përqind të prodhimtarisë e eksportojnë jashtë vendit, teksa shton se si rezultat i cilësisë që ofrojnë, kërkesat janë shumë të mëdha por në mungesë të kapaciteteve, nuk mund të eksportojnë edhe në vende të tjera.
Për këtë, ai kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës, që t’iu dalë në ndihmë bizneseve prodhuese.
Gashi: Eksportojmë afër 250 tonë ngjyrë në javë
Video
“Vetëm sot ku jemi këtu, nisen 4 kamionë për Gjermani dhe Francë. Ndërsa javën e kaluar kemi nisur 10 kamionë e që i bie afër 250 tonë në javë… Për momentin jemi duke eksportuar në Francë dhe në Gjermani. Kërkesat tona janë që të eksportojmë edhe në vende tjera por, fatkeqësisht kapaciteti jonë nuk po na lejon që të eksportojmë edhe në vende të tjera”, thotë ai.
Gashi tregon se pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19, po u shkakton vështirësi në eksport, teksa shton se përkundër kësaj kanë arritur që të eksportojnë 80 përqind të prodhimit.
Gashi: 80 përqind të prodhimit e kemi eksport
Video
“Duke marrë parasysh pandeminë në të cilën jemi dhe që na ka përcjellë gjatë gjithë vitit të kaluar, ne këtë vit, 80 përqind të prodhimit e kemi eksport. Ndërsa, vështirësitë i kemi shumë të mëdha, duke filluar prej transportit, prej lëndës së parë, prej lëvizjes së lirë të punëtorëve e shumë të tjera.. Vetëm sot ku jemi këtu, nisen 4 kamionë për Gjermani dhe Francë. Ndërsa javën e kaluar kemi nisur 10 kamionë e që i bie afër 250 tonë në javë”, thekson ai.
Gashi thotë se do ta kishin shumë më të lehtë nëse do t’u dilte sadopak në ndihmë qeveria.
Ai fton qeverinë në ardhje që t’i vizitojë dhe t’i mbështesë të gjithë prodhuesit që kanë potencial për eksport.
Gashi: Qeveria t’i merr shembull vendet e rajonit sesi ndihmohen prodhuesit
Video
“Kisha bërë një kërkesë, sidomos qeverisë në ardhje që të vijë të na vizitojë, të bisedojë me neve, sidomos me prodhuesit që janë potencial për eksport, që të bisedojë me neve, t’i sheh hallet tona dhe ndoshta t’i merr shembull shtetet e rajonit sesi ndihmohen prodhuesit, sidomos ata që merren me eksport”, thotë ai.
Fabrika e prodhimit të ngjyrës dhe fasadës “Relux”, tash 10 vite prodhon ngjyrë dhe fasadë. Ndërsa janë bërë tri vite prej kur eksporton produktet e saj në Gjermani dhe Francë./N.Jakupi/ KosovaPress