EULEX-i zbarkon në qendrën ku po mbahet Pantiq, i kryejnë kontrolle mjekësore ish-policit

- in Lajme

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka njoftuar se një ekip mjekësor i EULEX-it, mbrëmë i ka bërë një ekzaminim mjekësor ish-policit Dejan Pantiq, i cili ndodhet në paraburgim për 30 ditë.

Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se ky është kontrolli i dytë mjekësor që i është bërë Pantiqit.

“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it dje në mbrëmje ekzaminoi z. D.P., i cili është ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është ekzaminimi i dytë mjekësor i z. D.P., kryer nga një ekip mjekësor i EULEX-it. E para u zhvillua një javë më parë”, shkroi Wigemark në Twitter.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë së fundmi se është duke e shqyrtuar mundësinë që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës për ta transferuar ish-policin Dejan Pantiq nga një stacion policor afër Jarinjës, në një qendër paraburgimi.

EULEX-i thotë se nuk është përgjegjës për mbajtjen në arrest të Pantiqit, i cili dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

/GazetaSinjali/