Escobar zbulon se lajmi i rrejshëm për shkarkimin e tij doli pak kohë pasi i tregoi Qeverisë së Kurtit për ndryshimet në personelin amerikan

- in Lajme

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar iu është adresuar akuzave që i kanë ardhur nga një person i quajtur Vudi Xhumshiti, të cilin e ka quajtur “gazetar të pretenduar”. Diplomati amerikan ka zbuluar se ai publikoi informatën për largimin e tij nga kjo pozitë, pak pasi kishte folur me Qeverinë e Kosovës për këtë.

Në fund të konferencës së tij, ku mori pjesë edhe Nacionale, Escobar shprehu dëshirën për t’u adresuar në lidhje me këto akuza. Ai ka thënë se gjithçka që ka shkruar personi në fjalë është gënjeshtër.

“Kam edhe një gjë, përpara se të largohem. Dua t’i adresohem një gjëje për të cilën kemi pasur shumë pyetje, dhe dezinformata që janë prodhuar nga një pseudo gazetar, i cili ka thënë që në po pushohem nga puna për lidhje të dyshimta me qeverinë serbe. Çdo gjë në atë raportim është një gënjeshtër, gënjeshtra që mund të verifikohen, fillimisht, unë nuk po pushohem nga puna, e dyta, gruaja ime nuk ka marrë asnjë para nga asnjë qeveri e huaj, gruaja ime në çdo ambasadë ku kemi punuar, ka punuar pa ndonjë para apo kontratë, do të vazhdojë të punojë këtë.” – u shpreh ai.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka lidhje me firmën në Teksas, siç u pretendua në artikullin në fjalë.

“Nuk kam lidhje me avokatët në Teksas, dhe kjo firmë ka një faqe publike, kështu që një gazetar i përgjegjshëm do t’iu adresohej edhe atyre dhe ta konfirmonte që s’ka lidhje.” – tha Escobar.

Në fund, diplomati amerikan ka dhënë një detaj që nuk dihej. Ai është shprehur se pretendimet që mediumi i Xhymshitit mori informacionin për largimin e tij nga Kongresi janë gënjeshtra.

Madje, Escobar ka zbuluar se lajmi u publikua vetëm pasi ai komunikoi me Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë çështje.

“Po ashtu, pretendimi se informacionet kanë ardhur nga burime brenda Kongresit është i rremë, sepse kongresi nuk ka qenë i njoftuar për ndryshime në personel, raportimi erhdi pasi unë fola me të gjitha qeveritë në rajon për të folur për tranzicionin, dhe ky raportim ka ardhur pak pasi fola me Qeverinë në Kosovë. Pra është një dezinformatë…” – ka theksuar ai./Demokracia