I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova e ka mbështetjen e plotë të ShBA-ve, dhe sipas tij Kosova është një parter i mirë dhe se nuk sheh ndonjë dyshim.
Escobar ka folur edhe për marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se ende ka punë për tu bërë.
“Mendoj se kemi ende punë për të bërë atje, por besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve, është një partner i mirë dhe nuk shoh asnjë dyshim atje, mendoj se do të arrijmë atë që duam” – ka thënë Escobar, shkruan Vijesti.
Sa i përket planit franko-gjerman, Escobar ka thënë se ky plan është një platformë për të gjetur zgjidhje ndërmjet dy shteteve, e, që po sheh reagime pozitive kundrejt këtij plani nga Prishtina dhe Beogradi.
“Jemi ende në fillim. Por shoh disa reagime pozitive nga të dy kryeqytetet. Realiteti është se në krizën aktuale nuk është ide e mirë që Evropa të mbajë një konflikt të ngrirë brenda kufijve të saj. Ajo që ne po bëjmë është të përdorim këtë propozim si një platformë për të gjetur një zgjidhje që do të funksiononte për të dy vendet. Dhe këto janë zgjidhje që hapin rrugën euroatlantike, mbrojnë komunitetet pakicë dhe hapin realisht mundësi për lidhje ekonomike. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se ka arsye për optimizëm.” – ka shtuar Escobar.