Escobar paralajmëroi bllokim të integrimit | Kurti kishte pranuar në Ohër që fatin e integrimit në BE ta lidhte me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

- in Lajme, Rajoni dhe Bota

Mund të duket i rëndë paralajmërimi i të dërguarit të posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Kosova do të përballet me pasoja në rrugën e integrimit nga Bashkimi Evropian, por ai gjen mbështetje në Aneksin e Ohrit për të cilin është dakorduar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 18 mars 2023, shkruan Demokracia.com.

“Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim”, deklaroi Escobar për REL-in kur u pyet se “a mendoni se mund të ketë masa shtesë ndaj të dyla palëve nëse nuk ecin përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj?”.

SI E LIDHI KURTI INTEGRIMIN EVROPIAN ME ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË BRUKSELIT (27 SHKURT 2023) DHE OHRIT (18 MARS 2023)?

Dakordimi në Ohër (18 mars 2023) mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka lidhur pashmangshmërisht procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Kjo rrugë, që nga pranvera e këtij viti është e lidhur detyrimisht me zbatimin e rezultateve të dialogut Kosovë – Serbi. E pjesë e këtij rezultati janë edhe marrëveshjet që për shumë vite i kundërshtoi me demonstrata të dhunshme në rrugë e Kuvend nga tashmë pranuesi i tyre, Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Në Marrëveshjen Bazë të Brukselit, që përbëhet nga 11 Nene, Kurti ka pranuar edhe dy nene jashtëzakonisht problematike. Çështjet që rregullohen përmes këtyre neneve, i kanë ndihmuar Kurtit që të rritet politikisht duke i kundërshtuar fuqishëm ato.

“Zajednica”, “Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, janë themelet e Marrëveshjes Bazë të Brukselit, të arritur më 27 shkurt 2023. Por, me Aneksin e Ohrit, të datës 18 mars 2023, ato janë bërë pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtij anëtarësimi është i varur plotësisht nga niveli i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Në pikën 2 të Aneksit të Ohrit thuhet se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

“2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”. /Demokracia.com