Escobar erdhi për “Dinarin”, Kurti papritur u dorëzua për Manastirin e Deçanit

- in Lajme

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot pritet nga kryeministri Albin Kurti.

Në njoftimin për media në mëngjesin e sotëm nga Qeveria bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në ora 15:30, shkruan Demokracia.com.

Pikërisht dje gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani, qeveria e Albin Kurtit i kërkoi Agjencisë Kadastrale që ta regjistrojë pronën e Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesi i lartë amerikan e ka cilësuar vendimin të vështirë, por si të domosdoshëm për Kosovën.

Por, Escobar kishte ardhur në Kosovë për ta diskutuar vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit.

I dorëzuar për manastirin, nuk dihet nëse Kurti do të dorëzohet edhe për dinarin.

Gabriel Escobar të martën ka dhënë disa deklarata të fuqishme në Bruksel gjatë një bashkëbisedimi të hapur online me gazetarë.

Escobar e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.

“Shikoni, për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore, po dëgjojmë shumë raporte për vështirësi që po përjetojnë qytetarët e Kosovës që varen nga pagesat sociale nga Serbia. Dhe ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë për bazë shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për trajtimin e pakicave brenda Kosovës – t’i marrë seriozisht këto shqetësime. Janë pesë arsye pse jemi të shqetësuar për këtë vendim. Njëra është shpejtësia me të cilën u zbatua dhe ne nuk jemi – ne nuk po diskutojmë legjitimitetin e vendimit. Ne po diskutojmë zbatimin e vendimit. Tani do t’ju kujtoj se Francës iu desh gati një vit për të zbatuar euron dhe në veri të Kosovës ata donin ta zbatonin atë në më pak se tre javë. E dyta është se qeveria nuk dha asnjë alternativë, asnjë alternativë qeveritare, që populli t’i merrte, të merrte pagesat e tyre. Dhe këta njerëz varen nga pagesat dhe duhet t’i marrin ato; kanë të drejtë për to. E treta është se nuk ka pasur kontakt me komunitetet e prekura. Dhe kështu shumë nga njerëzit që u prekën nga ky vendim mbetën të hamendësonin se cili ishte hapi tjetër. Së fundi, dy javë para shpalljes së këtij vendimi, Kosova, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ishin pajtuar në Shkup, gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, që të ketë një mekanizëm pagese deri në fund të këtij viti. Pra, me fjalë të tjera, nëse Kosova do të kishte pritur, mekanizmi i pagesave për pagesat elektronike transparente do të ishte zgjidhur. Dhe së fundi, arsyeja e pestë është – ne kemi luftuar për të lejuar – për ta bërë Kosovën që të lejojë komunitetin ndërkombëtar të ndihmojë në gjetjen – ofrimin e ndihmës teknike për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje”, tha Escobar. /Demokracia.com/