Sot pesëshja diplomatike e emisarëve takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në zyrën e tij.
Pas takimit, në emër të pesëshes diplomatike, u deklarua ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, shkruan Demokracia.com
Lajçak tha se themelimi i Asociacionit është e vetmja rrugë e Kosovës për të ecur drejt BE-së.
“Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi për të bërë progres në normalizim të raporteve nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt BE-së dhe këtu kemi theksuar nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa vonesë. Pa këtë s’do të ketë progres në rrugën evropiane të Kosovës”, tha Lajçak sot.
Pas takimit me emisarët diplomatik, Kurti në rrjetin social “X” doli me një deklarim, ku tregoi se e vlerëson planin e ri që ia sollën për vazhdimin e dialogut.
“Kam mirëpritur sot emisarët nga BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca e Italia. Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, me sponsorizimin dhe pjesëmarrjen e Serbisë – siguria e kufirit tonë ka përparësi. Në dialog nevojitet një qasje e re. Falënderoj dhe vlerësoj 5 emisarët për planin e tyre të ri për të ecur përpara”, tha Kurti.
Kurti me 29 shtator të këtij viti e quajti Asociacionin ide të Serbisë. Kurse tash po e vlerëson këtë ide të emisarëve.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla pas sulmit të 24 shtatorit e quajti të vdekur Asociacionin, por duket se ende është i gjallë./Demokracia.com/