Ekskluzive: Këta janë dy të dyshuarit që e kërcënuan vëllain e pronarit të barnatores ‘Rexall’

- in Lajme

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar dy persona të cilët kanë kërcënuar vëllain e pronarit të barnatores ‘Rexall’ në Prishtinë, i cili pak ditë më parë u sulmua brutalisht, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se personat që u arrestuan janë Bekim Maloku dhe Agim Spahiu.

Maloku dhe Spahiu e kërcënuan vëllain e pronarit të barnatores ‘Rexall’ më 23 maj, ku ia zunë pritën para hyrjes së restorantit ‘Gizzi Grill’ në Veternik.

Sinjali pati raportuar për rastin, ku të dyshuarit fillimisht iu drejtuan viktimës me fjalët ‘pse po përmend emra në Polici’ e më pas e kërcënuan me fjalët se ‘nëse përmend emra në Polici, kena me të mbytë krejt’.

Sipas njoftimit të Prokurorisë ndaj tyre është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosja”.

Po ashtu është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata.