Humbja e llogarisë në rrjete sociale, shpesh herë mund të jetë vetëm një klik larg. Kjo pasi që shumë përdorues marrin mesazhe në ‘inbox’, të cilat në shikim të parë duken linqe krejt normale, por që klikimi i tyre mund të shkaktojë telashe të mëdha dhe persona të paautorizuar mund të kenë qasje në llogaritë private të personave të zakonshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, i cili që nga mesdita e së premtes nuk ka qasje në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Kokaj ka denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, ku ka deklaruar se ka pranuar mesazhe në ‘Messenger’ në formë linku, hapja e të cilave i kushtoi me humbjen e qasjes në profilin e tij. Ai po ashtu ka bërë të ditur se personat që kanë marrë në dorë llogarinë e Facebook-ut, u kanë dërguar mesazhet e njëjta edhe miqve të Kokajt.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas mesazheve që mori, Kokaj pranoi edhe një thirrje telefonike nga një numër me prefiks të shtetit të Suedisë, ku një person i paidentifikuar ka komunikuar në gjuhën angleze dhe i ka bërë të ditur deputetit të VV-së që tashmë ai e ka në duar profilin e tij dhe e ka shantazhuar në mënyrë që mos t’ia publikojë të dhënat e tij personale.
Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet dhe rastin e ka cilësuar si ‘Shantazh’ dhe ‘Hyrje në sisteme kompjuterike’.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.