Ekonomisti i njohur Arben Mustafa i bashkohet PDK-së

- in Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot, përmes një konference për media, ka prezantuar aderimin e ri në këtë parti, ekonomistin Arben Mustafa.

Kryetari i PDK-së ka njoftuar njëkohësisht se Mustafa do të marrë edhe përgjegjësi shtesë në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, si Koordinator i Departamentit për Financa.

Krasniqi ka thënë se sot, Kosovës i duhen profesionistë, djem e vajza të reja, që me njohuritë dhe përvojën e tyre, kontribojnë për vendin, hapin rrugë të reja për zhvillim ekonomik dhe promovojnë qeverisjen e mirë.

“Që vizioni ynë ekonomik e zhvillimor të jetësohet, pa dyshim që na duhet, para se gjithash një menaxhim dhe shpërndarje e mirë e buxhetit dhe parasë publike, dhe hartim i politikave të duhura fiskale, të cilat krijojnë kushtet për stabilitet financiar dhe rritje ekonomike. Këtë objektiv në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, do ta arrijmë përmes Departamentit për Financa. Sot, vërtetë kam kënaqësinë e veçantë që të prezantoj para jush koordinatorin Departamentit pë Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, profesorin e dalluar të ekonomisë, Arben Mustafa. Arbeni ka një bagazh të madh profesional e intelektual, në bashkëpunim me ekipin e tonë të ekspertëve, do të na ndihmojë në ofrimin e alternativës sonë për sektorin e financave, që është një ndër pikat më me prioritet në vizionin tonë për qeverisjen e ardhshme.”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se një kuadër i tillë si Arbeni, i cili ka vendosur që karrierën e tij ta zhvillojë në Kosovë, i bën nder Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq, Mustafa, në prezantimin e tij ka falënderuar Kryetarin Krasniqi për besimin dhe mundësinë që të bëhet pjesë e kësaj platforme, e cila në thelb të saj ka ndërtimin dhe ofrimin e një modeli të ri qeverisës, me qendër qytetarin dhe shtetin.

“Dëshira dhe vullneti i madh për të kontribuar në ndërtimin e një alternative të mirëfilltë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, më ka shtyrë që tërë bagazhin tim akademik e profesional ta vë në funksion të Kabinetit për Qeverisje të Mirë dhe Partisë Demokratike.”, ka thënë Mustafa.

Më tej, ai ka thënë se ekonomia e Kosovës ka sfida të mëdha, e këto sfida kërkojnë përgjigje profesionale e të bazuara në eksperiencë, pra, përgjigje joeksperimentale.

“Departamenti i Financave ka një vizion të qartë që të punojmë që ekonomia e vendit të sigurojë të ardhura e mirëqenie të lartë për qytetarët, duke e ruajtur parimin e ekonomisë së tregut, duke rritur efiçencën e sektorit publik dhe duke ju përgjigjur mirë ndryshimit të nevojave zhvillimore të sektorit privat. Këto janë parakushte të rëndësishme për të siguruar një rritje ekonomike të fuqishme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se propozimet programore do të jenë të orientuara që të sigurojnë financa të qëndrueshme publike, si faktor shumë i rëndësishëm për stabilitetin makroekonomik të vendit, por edhe tregues i sjelljes së përgjegishme të shtetit ndaj taksave të mbledhura nga qytetarët.

Arben Mustafa ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ato master dhe të doktoratës në Staffordshire University.

Pothuajse për dy dekada, Arbeni ushtron funksione me rëndësi në kuadër të Bankës Qendrore të Kosovës, ku ofron ekspertizën e tij rreth zhvillimeve ekonomike dhe stabilitetit financiar.

Njëkohësisht, ai është angazhuar edhe si ligjërues universitar i lëndëve nga fusha e mikro dhe makro ekonomisë, bankave dhe financave, dhe politikave monetare.

Arbeni është autor dhe bashkëautor i dhjetëra punimeve shkencore, pjesëmarrës i disa konferencave ndërkombëtare, si dhe i çertifikuar në një mori trajnimesh në fushën e ekonomisë dhe mësimdhënies, të ofruara nga institucione me renome ndërkombëtare. /Lajmi.net