“Edhe ksi edhe asi”/ PSD ‘ngjyros’ veturën e Glauk Konjufcës

- in Lajme

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate kanë kryer një aksion simbolik gjatë ditës së sotme, ku cak i tyre ishin veturat zyrtare të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se ky është ‘Glauku i shpërfytyruar’ dhe se ky aksion është kundër qëndrimeve të Konjufcës.

“Ky është Glauku i shpërfytyruar. “Edhe ksi edhe asi”: kjo është parrulla që kemi shkruar në njërin nga xhipat e Glauk Konjufcës.  Kështu lexohen qëndrimet e tij. Pasi ta degjosh deklarimin, përmbyse atë dhe kështu del e vërteta e tij. Ky është Glauku i shpërfytyruar”, shkroi Molliqaj.

Kujtojmë se Konjufca ishte i zëshëm kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke thënë se ‘Zajednica s’do të bëhet kurrë’.

Gjatë një interviste, kur gazetari e kishte pyetur nëse ai mund të bëhet pa kompetenca ekzekutive, Konjufca e kishte mohuar në mënyrë kategorike.

“Unë mendoj që jo, nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrfarë asociacioni, as kësi, as asi. Sepse nëse është bashkim i komunave serbe, në çfarëdo mënyre, unë mendoj se nuk duhet të ndodh kurrë. Kështu besoj se edhe do të jetë”, kishte thënë Konjufca.

/GazetaSinjali/