Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 47 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W02749 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe në përmbledhjen e lexuar nga përfaqësuesit e ZPS-së, pretendohet se në qershor të 1999 ai është rrëmbyer dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së.
Pyetjet për këtë dëshmitar është duke i parashtruar përfaqësuesi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në sesion privat për publikun.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë një ditë. Ai tha se ZPS-ja ka paraparë rreth një orë e gjysmë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar, mbrojtja e viktimave nuk ka pyetje, kurse mbrojtja e të akuzuarve kanë parashtruar se iu duhen rreth katër orë.
Vlen të theksohet se deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për ZPS-në u pranuan si prova materiale së bashku me materialin përcjellës./Demokracia