E tmerrshme: 20-vjeçarja sulmohet seksualisht nga 45-vjeçari në autobusin për në Prishtinë

- in Lajme

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në një autobus që po lëvizte nga Istogu në Prishtinë, ku një 20-vjeçare është sulmuar seksualisht nga një burrë 45-vjeçar, i cili më pas edhe e kërcënoi. Sinjali ka mësuar detaje se si i dyshuari e shfrytëzoi autobusin, për të iu afruar vajzës, të cilën e trishtoi në momentin që e sulmoi seksualisht.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur dje rreth orëve të mesditës, kur autobusi i një kompanie (emër i njohur për redaksinë), ishte rrugës për në Prishtinë, kur nisën britmat e kërcënimet, që i parapriu sulmi seksual i 45-vjeçarit.

Në dëshminë e viktimës të dhënë në Polici, thuhet se i dyshuari kishte ndërruar disa herë ulëset në autobus, në mënyrë që të afrohej në vendin ku ishte ulur vajza. Pas disa tentativave, ai ia arriti të ulej afër 20-vjeçarës dhe pa një pa dy, ia mësyu duke e prekur me duar në gjoks. Ky veprim shkaktoi shqetësim të madh te vajza, e cila iu kthyer me fjalët “qëndro si njeri, a je normal”.

Por kjo siç duket e revoltoi burrin e dyshuar, që meqë nuk e arriti qëllimin e tij, nisi me kërcënime, duke iu drejtuar vajzës “mshele more gojën, mos fol”.

Kjo situata alarmoi udhëtarët që ndodheshin në autobus, për çka u nevojit ndërhyrja e tyre, para se të eskalonte situata në ndonjë përleshje fizike.

Lidhur me këtë rast, burimet e Sinjalit thonë se përveç të të dyshuarit, Policia ka intervistuar edhe disa dëshmitarë që ishin në autobus në momentin kur ndodhi rasti.

Pas përfundimit të marrjes së deklaratave, Prokurori ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh të të dyshuarit, ndaj të cilit është iniciuar rasti “sulm seksual” dhe “kanosje”.

/GazetaSinjali/