E tepron Fitore Pacolli, kërkon nga Qeveria e Kuvendi të marrin masa ndaj mediave

- in Lajme

Mediat duhet të jenë të pavarura, por sipas deputetes së Vetëvendosjes Fitore Pacolli, Qeveria e Kuvendi duhet të merren me to.

Deputetja e partisë në pushtet, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës ka bërë thirrje qe Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa ndaj mediave në Kosovë, meqë sipas saj, në raportin e Parlamentit Evropian thuhet që “kohëve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media”.

Pacolli pretendon se, ky raport thotë se përmes investimeve të tilla private është rritur edhe mundësia e ndikimit në disa mediume kryesore në vend dhe në ato online.

Si pasojë, ajo ka kërkuar të merren masa dhe të kuptohet se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave dhe identifikimin e pronësisë së tyre.

“Viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online, të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe për shantazh politik. Pra këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, transparencën si dhe me identifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka thënë Pacolli në Kuvendin e Kosovës.

/GazetaSinjali/