Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Caslav Jolic, i akuzuari për krime të luftës gjatë viteve 1998-1999 në Istog.
Të enjten ka dëshmuar Naim Curraj, vëllai i të dëmtuarit Nexhmedin Curraj, të cilin Jolic e ka rrahur në fshatin Gurrakoc.
Dëshmitari Curraj ka treguar se bashkë me Nexhmedinin kanë pasur dy dyqane afër policisë në Gurrakoc dhe i vëllai ka punuar taksist.
Derisa rrëfën për ngajrjen kur u dëmtua një përmendore serbe, Qalavi e Llaza kanë shku aty.
“Na kanë thanë se Nexhmendinin janë tu e rreh në qendër. Kur jemi shku në qendër nuk na kanë lanë me iu ofru. Në atë moment ka dalë dikush prej qebaptorës në afërsi, në atë moment e kanë ¨rrahur edhe Naimin. Prej atij momenti kemi pasur shumë pasoja. Kemi pasur maltretime të mëdha. Nexhmedinin e kam takuar pas gjysmë ore në qendër te taksistat. Gjendja e vëllait tim Nexhmedinin ka qenë e mjerusheme, nofullën e ka pasur të thyer. E kanë marrë dhe e kanë çu te shtëpia, prej shtepisë e kanë largu e kanë dërgu në Vrellë, në komunën e Istogut tek miqtë e tij”, ka dëshmuar ai.
Sipas tij, vëllai i tij Nexhmedini pas shumë kohësh është kthyer në shtëpi me nofull të thyer.
“Pas shumë kohësh vëllau u kthy në shtëpi, ashtu ka qenë me nofull të thyer deri paslufte. Vëllau nuk mund të vendos dhëmbë për shkak të nofullës. Nexhmedinin e kanë rrahë, Qalavi, Llaza dhe Rada, të cilët në atë periudhë kanë qenë policë. Ata kanë pasur rroba me ngjyrë të gjelbër. Gjithmonë kanë qenë të armatosur me armë automatike”, tha ai.
Dëshmitari Curraj ka thënë se dëshmitarë janë Naim Ferati dhe Zef Malsia.
Dëhmitari ka theksuar se gjatë kohës së luftës, përmendorja e dëmtuar ka qenë shkas i rrahjes së vëllaut të tij Nexhmedinit. i cili ishte duke punuar si taksist. Dëshmitari tha se ngjarjen e kanë parë disa persona, të cilët kanë punuar në afërsi të vendit ku ka ndodhur.
Dëshmitari thotë që Qalavi ka qenë polic i rregullt në stacion.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Caslav Jolic me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.
Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998, në lagjen Bllagaq të fshatit Gurakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë, njëri anglez e tjetri belg së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejcinovic dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejqinoviq, Caslav Joliq, Darko Pejqinoviq, Milosh Jolic dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj tek vendi i ngjarjes dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht.
Aktakuza thotë se dy prej policëve të uniformuar e kishin kapur për krahë dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grusht dhe shqelma për një periudhë kohore rreth 20 minuta, deri sa në një moment i pandehuri i identifikuar me nofkën “Dulle”, e kishte goditur me boks në kokë, me ç’rast i dëmtuari kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake, pastaj gazetarët e kishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ashtu të gjakosur e kishin kthyer në shtëpi në Gurakoc. Kurse, pas disa javësh, si rezultat i luftës, i dëmtuari ishte larguar nga Kosova.
Tutje, sipas aktit akuzues, rreth datës 15 mars 1998, deri sa i dëmtuari Naim Ferati po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga Shemsi Kabashi, pronari i restorantit, Mujë Hajzeraj, Refik Hajzeraj dhe Nue Pepaj, kishin shkuar 5 policë serbë dhe e kishin kapur për qafe, duke e tërhequr zvarrë e kishin qitur jashtë lokali dhe që të pestit e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Prej tyre, aktakuza thotë se polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur disa herë me tytë të automatikut në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, pastaj duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion policor në Gurakoc, në ato momente ngjarjen e kishte parë i dëmtuari Nexhmedin Curri, pasi që edhe ai ishte rrahur nga i njëjti grup i policëve, me të dërguar në stacion të dëmtuarin Naim Ferati e paralajmërojnë se deri në ora 17:00 do të ekzekutohej dhe vazhdimisht ishte nën shoqërinë e policëve Halil Kovaqeviq dhe Popoviq.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty pastaj kishte ardhur një epror polic i quajtur Gruica Veloviq dhe e kishte liruar të dëmtuarin nga stacioni i policisë, pastaj me ndihmën e disa fqinjëve të tij kishte arritur që të shkojë në spitalin e Istogut, ku e kishte mjekuar doktori Xhevat Avdijaj, kurse më 28 mars 1999 ishte urdhëruar nga policia serbe që ta lëshojë shtëpinë sikurse çdo banor tjetër i fshatit dhe ishte nisur për në Shqipëri, ku gjatë rrugës prapë ishin maltretuar dhe plaçkitur nga ana e forcave serbe, ndërsa si pasojë e luftës ka pësuar dëme material në vlerë prej 50 mijë marka gjermane.
Më pas, në aktakuzë thuhet se rreth 15 marsit 1998, i dëmtuari Nexhmedin Curri ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut për të marë familjen e tij, ku kishte arritur në pikën e kontrollit policor në fshatit Gurakoc, ishte ndalaur nga ana e policisë dhe dy prej pjestarëve të policisë, njëri i njohur me nofkën “Llaza” dhe tjetri i paidentifikuar kishin hyrë me dhunë në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i dërgonte deri tek shtëpia e personit me pseudonimin “Mala”.
Pastaj, aktakuza thotë se meqenëse i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ia dinte shtëpinë atij personi, të njëjtit kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i kthejë në qendër të fshatit Gurakoc, saktësisht tek dyqani ku kishte punuar personi me emrin “Sllavisha”, pastaj me të arritur para shitores e cila ishte në afërsi të pikës së kontrollit të policisë personi me emrin Rade Pituliq iu ishte drejtuar të pandehurve me fjalët “Se si po shëtiteni ju me iredintistin”, kurse personi me pseudonimin “Joliqi” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe nga aty kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur derisa kishin ndërhyrë disa policë të tjerë dhe e kishin nxjerrë të dëmtuarin nga lokali në gjendje të përgjakur, me dhëmbë të thyer.
Ndërsa, i pandehuri Jolic thuhet se i kishte thënë të dëmtuarit “Nuk je në Kosovë por je në Serbi, këtu është Serbia e madhe dhe se këtu nuk flet Ibrahim Rugova, por Millosheviqi”, kurse i dëmtuari ashtu në gjendje të përgjakur e merr veturën dhe largohet nga fshati Gurakoc dhe gjatë largimit kishte parë se si policët serbë e kishin rrahur të dëmtuarin Naim Ferati, ndërsa kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte larguar për në Mal të Zi prej ku ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.
Me ketë, Calsav Jolic akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjen së veprës penale./Demokracia