“E ka vra mas kreje me armë, sot ka pasë me lindë”, flet motra e shtatzënës që u vra mizorisht te Gjinekologjia

- in Lajme

Ngjarja makabre që ndodhi mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, ku Sokol Halili dyshohet se vrau ish bashkëshorten e tij, Hamide Magashi, e cila ishte në javën e fundit të shtatzënisë, ka tronditur gjithë opinionin, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe motra e Hamides, e cila ka thënë se ish dhëndri i tyre, vazhdimisht e ka kërcënuar gjithë familjen me armë zjarri.

Ajo ka rrëfyer edhe aktin çnjerëzor të të dyshuarit, duke thënë se e ka vrarë gruan me armë me shurdhues pas kokës.

“Një herë e ka qëlluar, e ka rrëzuar, e më pas e ka qëlluar edhe herë të tjera dhe e ka vrarë. Motra ka pasë sot me lindë”, ka thënë ajo para mediave që po qëndrojnë në shtëpinë e familjes së viktimës.

Motra e 35-vjeçares ka akuzuar institucionet e vendit për mosveprim.

Ajo tregoi më tej se dy javë pas martesës së motrës, kjo e fundit kishte treguar se burri i saj dhe familja e tij po ushtrojnë dhunë fizike. Ndërkohë ka kërkuar që ta kthejnë në familje, por ai nuk e ka lejuar duke e kërcënuar me armë vazhdimisht.

Ndryshe, Hamide Magashi, 35-vjeçare, ka mbetur e vrarë mbrëmë para dyerve të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë ku ajo ishte e shtrirë për shkak se ishte në javën e fundit të shtatzënisë.

Ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, dyshohet se shkrepi armën drejt viktimës, duke e lënë atë të vdekur në vend.

Halili menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij Opel Astra me targa 05-450-BC dhe i njëjti është shpallur në kërkim policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/