Si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Ferizaj, mesditën e kësaj të premte, është vrarë një grua e cila dyshohet se është viktimë e burrit të saj dhe dyshohet se është plagosur një person në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, bëjnë të ditur burime të Indeksonline.
Rasti ka ndodhur në Qendrën për Punë Sociale, ndërsa vdekja e gruas është konfirmuar në vendngjarje nga mjekët kujdestarë.
Ndryshe, lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Deklarata e plotë e tij:
Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person i gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person i gjinisë mashkullore, i cili është dërguar nē Qendrën Emergjente në Ferizaj.
I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje. Ekipe të hetuesve dhe krimeve janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit./Demokracia