Dy burra lëndohen rëndë derisa po punonin në gurëthyes, dërgohen në QKUK

- in Lajme

Punëtorët, sidomos ata të sektorit privat, përballen me shumë sfida në Kosovë, siç janë mungesa e kontratave e orari i tej zgjatur.

Përveç këtyre, punëtorët ballafaqohen edhe me pasiguri dhe kushte të pafavorshme të punës, gjë që shpesh ka përfunduar me lëndime e nganjëherë edhe me vdekje, shkruan Gazeta Sinjali.

“Sherrin” vendit të punës, mbrëmë ia kanë parë edhe dy persona nga Drenasi, të cilët kanë pësuar lëndime trupore derisa ishin duke punuar në gurëthyesin “BAU mineral” që ndodhet në fshatin Çikatovë të Vjetër të kësaj komune.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda shtëpisë së shëndetit në Drenas kanë bërë me dije se mbrëmjen e së premtes kanë pranuar dy pacientë, një 43 dhe tjetri 60 vjeç, të cilët janë lënduar në vendin e tyre të punës.

Sipas të njëjtave burime, viktimat pasi kanë pranuar ndihmën e parë mjekësore, janë dërguar për në QKUK për vazhdimin e trajtimit mjekësor.

Siç mëson Sinjali, viktimat janë nga fshati Makërmal dhe Dobroshec dhe më pas të njëjtit janë intervistuar nga Policia e Kosovës.

Pas pranimit të informatave, në gurëthyesin “BAU mineral” kanë dalë njësitet e hetimeve dhe lidhur me rastin është njoftuar inspektori komunal i punës.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të marrë detaje shtesë lidhur me rastin, por deri në publikimin e këtij artikulli, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar…

/GazetaSinjali/