Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi bën të ditur se nga sot do ta shfuqizojë vendimin për përgjysmimin e pagesës së biletave për disa kategori shoqërore.
Këtë vendim Durmishi e mori pas takimeve me përfaqësues të shoqatave të transportit rrugor.
“Siç e dini kohëve të fundit ka ndodhur një rritje e çmimeve të produkteve, rrjedhimisht edhe kompanitë e transportit rrugor janë detyruar qe të rrisin çmimet e biletave. Ne si ministri patëm marrë një vendim për të mbrojtur disa kategori shoqërore. Pas disa diskutimeve, bashkë me shoqatat kemi ardhur në përfundim, meqenëse ka rënë edhe çmimi i derivateve të naftës, që çmimet për kategori shoqërore të jenë ashtu si para rritjes së çmimeve. Vendimi që kemi marrë na nuk ka nevojë të jetë më si e tillë”, ka thënë ai.
Durmishi në konferencë për media ka njoftuar se edhe padia e shoqatës së Transportit Rrugor do të tërhiqet.
Kryetari i shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj ka falënderuar ministrinë për shfuqizimin e këtij vendimi.
“Zotohemi që nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave për udhëtim”, ka shtuar ai.
Më 11 mars, zëvendësministri Durmishi kishte njoftuar për vendimin për përgjysmimin e çmimit të biletave të autobusëve ndëruban për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët./