Duka uron Ademin për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

- in Sport

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka ia ka uruar presidentit të FFK-së Agim Ademit 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Më poshtë mund ta gjeni të bashkangjitur telegramin e plotë të Dukës, përcjell KosovaPress.

“I nderuar President,

I dashur Agim,

Me rastin e përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë anëtarëve të familjes së madhe të futbollit shqiptar, urimet më vëllazërore për këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët, festën e Pavarësisë.

Prej 13 vjetësh si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka shënuar përparime të jashtëzakonshme duke qenë anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. Rritja e vazhdueshme e rezultateve sportive ka bërë jehonë ndërkombëtare dhe ka përmirësuar imazhin kudo në botë. Futbolli ka arritur të thyejë ato barriera që në shumë fusha të tjera nuk janë tejkaluar, duke ndihmuar Kosovën në procesin e njohjes.

Marrëdhëniet tona të shkëlqyera institucionale na nxisin që të punojmë gjithmonë e më shumë në rritjen e futbollit mbarëkombëtar dhe finalizimin e projekteve tona të përbashkëta.

Me urimet më të mira për ju, anëtarët tuaj, dhe gjithë popullin e Kosovës, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Miqësisht,

Armando Duka

President i Federatës Shqiptare të Futbollit”./KosovaPress