Duka para organeve të UEFA-së: Qeveria nuk lejoi rikthimin e tifozëve në stadium

- in Sport

Është zhvilluar mbledhja e radhës e Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë në UEFA, mbledhje e zhvilluar përmes video-konferencës, në të cilën mori pjesë edhe presidenti i Federatës shqiptare të futbollit Armand Duka, në cilësinë e nënkryetarit të këtij Komiteti.

Presidenti Duka, njëherësh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, bëri një referim mbi gjendjen aktuale të aktiviteteve futbollistike në Shqipëri, ku theksoi se futbolli ka qenë aktiv në të gjitha nivelet përtej pandemisë. Sezonin e shkuar, si pak Federata në Evropë, FSHF arriti të përmbyllë rregullisht çdo garë kombëtare si në nivel profesionist ashtu dhe në atë amator. Duka theksoi se ka pasur një përpjekje të vazhdueshme nga Federata e Futbollit për kthimin e tifozëve në stadium edhe në masën 30%, por këto përpjekje të instititucionit të futbollit janë refuzuar nga autoritetet qeveritare në vend.

Një pikë tjetër e rendit të ditës së Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë ishte puna që po bëhet në shumë vende në lidhje me lejimin e tifozëve në stadiume, masat që janë marrë dhe kapacitetet që ka secili shtet.

UEFA nga ana e saj është besimplotë se do të ketë prezencë të ndjeshme të tifozëve në EURO 2020 dhe në fund futbolli do të triumfojë së bashku me lojtarin e 12-të..\KP